Të dashur vëllezër e motra,

1. Fjalët që Jezusi shqipton: « Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh » (Mt 11,28) tregojnë ecjen misterioze të hirit që i shfaqet të thjeshtëve dhe që ju ofron çlodhje të lodhurve. Këto fjalë shprehin solidaritetin e Birit të njeriut, Jezu Krishti përballë një njerëzimi të vuajtur. Sa persona vuajnë në trup dhe në shpirt! Ai i thërret të gjithë të shkojnë tek Ai , «Ejani tek unë »,  dhe ju premton atyre pushim. “ Kur Jezusi e thotë këtë gjë ka para syve të tij personat që takon çdo ditë  nëpër rrugët e Galilesë; shumë njerëz të thjeshtë , të varfër, të sëmurë, mëkatarë, të përjashtuar nga shoqëria dhe nga pesha e ligjit… këta njerëz e kanë ndjekur gjithmonë për të dëgjuar fjalën e tij- një fjalë që jepte shpresë” (Angelus, 6 korrik 2014).

Në ditën XXVIII Botërore të sëmurëve, Jezusi i drejton ftesën të sëmurëve dhe të shtypurve, të varfërve që dinë të varen vetëm nga Hyji dhe që të plagosur nga pesha e provës kanë nevojë për shërim. Jezusi ,atyre që  jetojnë ankthin  e situatës dhe të brishtësisë së tyre , nuk ju imponon ligje, por ju ofron mëshirën e tij domethënë personin e tij që ju jep pushim. Jezusi shikon njerëzimin e plagosur. Ai ka sy që shikojnë, që vënë re sepse  sytë e tij shikojnë në thellësi, nuk vrapojnë indiferent, por ndalen dhe e pranojnë njeriun në totalitetin e tij, çdo njeri në gjendjen  e tij shëndetësore, pa përjashtuar asnjë, duke ftuar secilin që të hyjë në jetën e tij për të jetuar një përvojë dhembshurie.

2. Pse Jezusi ushqen këto ndjenja? Sepse Ai vetë është bërë i dobët, duke përjetuar vuajtjen e njeriut dhe duke marrë në të njëjtën kohë mbështetje dhe ngushëllim nga Ati. Në fakt ,vetëm kush e përjeton vetë këtë gjë , të jetë ngushëllim për të tjerët. Të ndryshme janë format e rënda të vuajtjes: sëmundje të pashërueshme dhe kronike, patologji psikike, ato që kanë nevojë për rehabilitim dhe kura paliative, problemet e ndryshme, sëmundjet e fëmijërisë dhe të pleqërisë. Në këto rrethana vihet re ndonjëherë mungesa e njerëzimit dhe shihet e nevojshme që të kemi një raport më personal me të sëmurin, t’i shtojmë kurimit përkujdesjen për një shërim integral të njeriut. Në sëmundje personi njerëzor ndjen të komprementuar jo vetëm gjendjen e tij fizike por edhe dimensionin relacional, intelektual, afektiv, shpirtëror prandaj ai ka nevojë për mbështetje ashtu si edhe vetë familja që vuan me të, ka nevojë për mbështetje.

3. Të dashur vëllezër e motra të sëmurë, sëmundja ju vendos mes atyre që janë, “të lodhur dhe të shtypur” që tërheqin shikimin dhe zemrën e Jezusit. Nga aty vjen drita për momentet e errësirës, shpresa për shkurajimin tuaj. Ai ju fton që të shkoni tek Ai: “ Ejani”. Në Atë, në fakt ,të gjitha shqetësimet do të gjejnë forcë që të jenë të tejkaluara. Po, Krishti nuk na ka dhënë receta por me mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e tij na liron nga çdo e keqe.  Në këto kushte, keni me siguri një vend për të pushuar. Kisha dëshiron të jetë gjithnjë e më shumë  si ky vend i Samaritanit të mirë, që është Jezusi (cfr Lc 10,34), domethënë shtëpinë në të cilën mund të gjeni hirin e tij të shprehur në familiaritet, mikpritje.

Në këtë vepër përkujdesjeje për vëllezërit e sëmurë  duhet të vendoset shërbimi i punonjësve shëndetësorë, mjekëve, infermierëve, personelit shëndetësor dhe administrativ, vullnetarëve duke bërë kështu që të ndjehet prania e Krishtit, i cili ofron ngushëllim dhe merr përsipër të sëmurin duke u kujdesur për plagët e tij. Por edhe ato vetë janë njerëz me brishtësitë e tyre  si edhe me sëmundjet e tyre.  Për ata ,në mënyrë të veçantë vlen shprehja, «Njëherë që kemi marrë ngushëllimin e Krishtit, jemi të thirrur të bëhemi ne ngushëllim  për vëllezërit duke mbajtur një qëndrim të përvuajtur si Mësuesi » (Angelus, 6 korrik 2014).

4. Të dashur punonjës shëndetësor, çdo ndërhyrje e juaja  i drejtohet të sëmurit  në të cilin emri “person ”, është gjithmonë para mbiemrit “i sëmurë”. Të vepruarit tuaj le të jetë gjithmonë i drejtuar drejt dinjitetit dhe jetës pa anjë një rënie në akte si eutanazia, vrasja e asistuar ose shtypja e jetës, edhe atëherë kur gjendja sëmundjes nuk ka ansjë kthim pas.

Në përvojën e dështimit të mundshëm edhe të shkencës mjekësore përballë rasteve klinike gjithnjë e më problematike, jeni gjithmonë të thirrur të jeni të hapur drejt një dimensioni trashendent, i cili mund t’iu ofrojë kuptimin e plotë të profesionit tuaj. Le të kujtohemi se jeta është e shenjtë dhe i përket Hyjit, aq më tepër është e padhunueshme dhe e paprekur. (cfr Istr. Donum vitae, 5; Enc. Evangelium vitae, 29-53). Jeta duhet pranuar dhe mbrojtur, respektuar dhe shërbyer që nga lindja e saj deri tek vdekja. Në disa raste kundërshtimi i ndërgjegjes është për ju vendimi i duhur që t’i qëndroni besnik kësaj po- je jetës dhe personit.  Në çdo rast , profesionalizmi juaj  i mishëruar nga dashuria e krishterë, do të jetë shërbimi më i mirë ndaj të drejtës njerëzore  dhe ndaj të drejtës së jetës. Kur nuk mund të shëroni, do të mund  të përkujdeseni gjithmonë me gjeste dhe procedura ngushëlluese dhe lehtësuese për të sëmurin.

Për fat të keq ,në disa kontekste lufte dhe konflikti të dhunshëm , personeli shendetësor nuk është i parë mirë . Në disa zona edhe pushteti politik pretendon ta manipulojë asistencën mjekësore në favorin e tij, duke kufizuar kështu autonominë e profesionit shëndetësor.

5. Në këtë ditë të XXVIII botërore të të sëmurëve, mendoj për shumë vëllezër e motra në mbarë botën të cilët nuk kanë mundësi të kurohen dhe të kenë shërbimin mjekësor  sepse jetojnë në varfëri. Ju drejtohem po ashtu institucioneve shëndetësore  dhe pushtetit të të gjithë vendeve të botës që të mos lënë pas dore drejtësinë sociale.

Falenderoj me gjithë zemër vullnetarët që vendosen në shërbim të të sëmurëve që shpesh herë mbushin ato boshllëqe  që nuk i plotëson shërbimi shëndetësor. Ata e bëjnë këtë shërbim me gjeste dashamirësie duke shpallur kështu imazhin e Krishtit Samaritan të mirë. 

Virgjër Mari, Shëndeti i të sëmurëve, t’i besoj të gjithë personat që janë duke mbajtur peshën e sëmundjes, së bashku me familjarët e tyre ashtu si dhe të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor. Të gjithëve me dashamirësi, ju siguroj afrimitetin tim  në lutje dhe ju jap me zemër Bekimin Apostolik.

Vatikan, 3 janar 2020,

FRANÇESKU

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *