RINIA SHQIPTARE DHE PROJEKTI “YOUR JOB”

Është e zakonshme sot mes të rinjve, të dëgjohen biseda demoralizuese mbi situatën aktuale në vend, problemet e punësimit, të shkollimit, të pagave nën norma dhe të nevojes e të pasurit një “Mik” në gjetjen e një vendi pune që të garantoje një jetesë normale.

Jo pak herë na takon të ndeshemi me të rinj pa një busull orientimi, të cilët janë limituar me mbylljen e 9-vjeçares ose gjimnazit të përgjithshëm dhe presin që fati t’u trokasë në derë (fati mund të jetë një punë e dhënë si punëtorë hamall informal, ose për vajzat sistemimi në një martesë si formë e delegimit të një halli). Nga ana tjetër kemi të rinj që të nxitur edhe nga prindër (militant partie) dhe lakmia e stereotipit të fëmijës së llastuar, synojnë një punë të lehtë e të qetë në administratën burokrate shtetërore.
Ndodh që edhe për dëshirë të prindërve të kryejnë studime të larta dhe pas-universitare pa ju referuar rekomandimeve të tregut të punës apo prirjes së fëmijëve. Guxoj të shtoj edhe që shumë prej këtyre çertifikimeve nuk përkojnë me aftësitë reale të të rinjve që i disponojnë. Së fundmi mund të themi që nuk janë të pakët shembujt e të rinjve që po ri-atdhesohen nga emigrimi i paligjshëm, duke mos qënë tërësisht të plotësuar me atë që vëndet e tjera të zhvilluara po kërkojnë.

Të gjithë e dimë se largimi nuk është zgjidhja. A ka rrugë të tjera përveç largimit nga Shqipëria? A mundet Shqipëria të na ofrojë të jetojmë me dinjitet dhe të vlerësuar? Këto janë pyetjet më të zakonshme nëper rrjetet sociale, televizione, vënde takimi me të rinjtë etj.
Përgjigja jonë është PO.


Kemi një mundësi të madhe për t’ju ofruar! 
#YourJob është projekti i cili po ndez dritën e shpresës për rininë në rajonin ku ka nisur të implementohet. Ne kemi ngritur tashmë zyrat tona dhe po evidentojmë rastet me nevojat më imediate për t’u konsideruar si pjesë e projektit tonë. Kryesisht nga rinia e kontaktuar jemi pritur në mënyrë entuziazmuese dhe kjo na motivon edhe më shumë për t’u angazhuar që t’u ofrojmë këtë mundësi të artë cilitdo të ri që ka nevojë të aftësohet dhe nesër të mund t’ja dalë të eci me këmbët e veta nëpër gozhdat e ngulura përsëmbrapshti në të gjitha rrugët e vendit tonë. “Your Job” ka lindur si nevojë aktuale në rajon, duke pasur parasysh nivelin e lartë të papunësisë tek të rinjtë e rajonit dhe mungesës së punëtorëve të kualifikuar nëpër bizneset lokale. “Your Job” gjen shumë synime të përbashkëta me Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë (2015-2020), ndër të cilat adresimin e të rinjve drejt kurseve profesionale dhe nevojen për të përcaktuar mirë politikat e praktikave nëpër shkolla dhe biznese. Diferenca është se strategjia e qeverisë e miratuar 4 vite më parë ka mbetur vetëm në letër ndërsa projekti ynë po lëviz shumë më shpejt për të arritur objektivat e tij.

Në Shqipëri do të kenë mundësi të marrin pjesë 500 të rinj (femra/meshkuj), ndër të cilët 8% do të jenë nga pakicat kombëtare dhe 1% persona me aftësi të kufizuar. Prioritet do të kenë të rinjtë me probleme ekonomike dhe social-kulturore. Në “Your Job” synohet gjithpërfshirja, barazia pa asnjë lloj dallimi racor, gjinor apo fetar. Ndihma kundrejt atyre që janë të disavantazhuar me moton: “Të mos lëmë askënd pas”.
“Your Job” synon bashkëpunimin, shkëmbimin dhe harmonizimin me të gjitha institucionet qeveritare dhe jo qeveritare, zyrave, organizatave e projekteve të ngjashme të cilët prekin konkretisht këtë realitet. Këto të fundit kanë qasje të përditshme ndaj problematikave të të rinjve dhe kështu sëbashku të bëjmë të mundur zvogëlimin e mungesave të kapaciteteve profesionale, me qëllim punësimin dhe integrimin, duke i kthyer këta të rinj në aset shumë të vlefshëm për vëndin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *